iShkodra

Shkodra Inteligjente

Evente

107 VJETORI I POLICISË SË SHTETIT, KRYETARJA E BASHKISË SHKODER VOLTANA ADEMI JEP MESAZHE TË FORTA (VIDEO)

Në mjediset e Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Shkodër, eshtre zhvilluar ceremonia e përkujtimit të 107 vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit. E ftuar ka qenë edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës zj. Voltana Ademi, e cila ka bërë edhe përshëndetjen e rastit para të pranishmëve.

Të nderuar Policisë së Qarkut,
Të nderuar efektivë të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër
Të nderuar familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës,
Të nderuar përfaqësues të komuniteteve fetare,
Të nderuara autoritete të pranishme,

Me 13 janar 1913, vendimi i qeverisë së dalë pas shpalljes së Pavarësisë, për krijimin e Forcave të Rendit- Policisë dhe Xhandarmërisë, na dha këtë ditë të cilën e festojmë si Dita e Krijimit të Policisë së Shtetit.

Në këto 107 vite, rrugëtimi i Policisë së Shtetit nuk ka qenë aspak i lehtë. Përgjatë më shumë se një shekulli jetë, shumë efektivë kanë dhënë jetën në krye të detyrës. E në këtë përvjetor, mendimi im i parë shkon pikërisht për këta heronj dhe familjet e tyre që sakrifikuan gjënë më të shtrenjtë për sigurinë tonë.

Por këto vite, që për hir të realitetit nuk janë pak, duhet ti ndajmë. Ka patur një periudhë, mëse 45 vjeçare, kur Policia e Shtetit ishte një armë represioni në duart e diktaturës. Në jo pak raste, Policia ishte një zgjatim politik i pushtetit komunist dhe i Sigurimit të Shtetit.

Sfida e fillimvitit 1990, ishte pikërisht pastrimi i Policisë së Shtetit nga elementë që ishin përfshirë në mbajtjen në këmbë të diktaturës, përmes represionit ndaj njerëzve, kundërshtarëve të regjimit komunist. Ka qënë dhe vijon të mbetet një proces, shumë i rëndësishëm dhe jetik që struktura e Policisë së Shtetit të jetë realisht jashtë çdo ndikimi që e lidh me të shkuarën e errët të vendit tonë.

Edhe sot, Policia e Shtetit vazhdon të jetë përballë sfidave të rëndësishme për të sotmen e të nesërmen e saj. Spastrimi i rradhëve të saj nga elementë të inkriminuar, bashkëpunëtorëve të kriminelëve të rrugës dhe atyre me kollare, duhet të dalin një orë e më parë nga rradhët e policisë së shtetit.
Elementë që e kanë bazuar karrierën e tyre me mbështetje politike, duke u kthyer në vegla të pushtetmbajtësve të rradhës, duhet të dorëzojnë kapelën dhe tu hapin rrugën atyre që e meritojnë.
Edhe pse prej muajsh po flitet për vetting edhe në rradhët e Policisë së Shtetit, akoma nuk ka rezultate të prekshme e të besueshme. Uroj që vettingu në Policinë Shtetit të mos jetë nën shembullin selektiv të atij në sistemin e Drejtësisë.

Të nderuar efektivë të Policisë së Shtetit,

Personalisht e di se keni marrë përsipër një detyrë të vështirë. Shpesh e kryeni duke u përballur me situata të rrezikshme, ndoshta edhe pa logjistikën e duhur. Edhe trajtimi juaj financiar, mendoj se ka nevojë të rishikohet, sidomos në sektorët ku rrezikshmëria, ngarkesa dhe stresi profesional janë në nivele të larta. Por, përtej të gjithave, deri në momentin që keni marrë përsipër këtë detyrë, duhet ta realizoni me ndershmëri e profesionalizëm, paanësi dhe vetëm në zbatim të ligjit.

Fati e deshi që Policia e Shtetit të asistohej nga ndërkombëtarët që në krijimin e saj. Misioni holandez në vendin tonë në 1913-ën, dha një kontribut të lavdërueshëm. Por edhe sot, misionet ndërkombëtare të vendeve mike, partnere perendimore në Shqipëri, vazhdojnë të na mbështesin dhe meritojnë veçse falënderime e respekt.
Gëzuar ditëlindjen e 107- të Policia e Shtetit!
Suksese të gjithëve për të mirën tonë të përbashkët!

Facebookmail

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *